Policia parandalon kontrabandimin e deleve nga Serbia

Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë kontrabandimin e disa deleve nga Serbia.

Organet e rendit kanë vërejtur dy të dyshuari të cilët nga territori i Serbisë kanë sjellë kafshët në fshatin Banjë të komunës së Zubin Potokut.

Policia ka thënë se personat e dyshuar kanë arritur të largohen në territorin serb.

“Policia e Kosovës ka informuar autoritetet doganore dhe AVUK-un lidhur me rastin për procedura të mëtejme, përderisa në bashkëpunim me Prokurorinë është iniciuar edhe rasti “ kontrabandim me mallra”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka theksuar se është e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe menaxhimin efikas të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës.