Forcat e policisë në veri | Foto: KALLXO.com
Policia paralajmëron rritje të prezencës në veri të vendit
Policia e Kosovës ka paralajmëruar rritjen e prezencës së zyrtarëve në pjesën veriore të vendit me qëllim të arritjes së objektivave.
“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë” – ka thënë Policia.
Tutje Policia theksoi se ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.
Policia tregoi se në aspektin operacional policor kanë kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend.
Tutje u tregua se nga ana e kësaj organizate qeveritare në vazhdimësi bëhen përcjellje dhe analiza të zhvillimeve në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.
Ditëve të fundit në komunat veriore të Kosovës u krijua një situatë e tensionuar pas dyshimeve se serbët lokal nuk lejuan vendosjen e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga KQZ për të nisur punën për procesin e zgjedhjeve që priten të mbahen më 18 dhjetor.
KALLXO.com po qëndron në veri të vendit ku po përcjellë nga afër zhvillimet që po ndodhin në këtë zonë.
Deri më tani gjendja në veri është e qetë ndërsa mbrëmë në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe Kodrën e Minatorëve janë regjistruar disa shpërthime.
Ministri i Punëve të Brendshëm Xhelal Sveçla mbrëmë tha në një konferencë se në sulmet në veri të vendit që ndodhën dy ditë më parë janë të përfshirë edhe ish-zyrtarë policor që dhanë dorëheqje javë më parë.