
Foto: Policia e Kosovës/Facebook
Policia pajiset me kartela xhepi për trajtimin e rasteve që përfshijnë personat me aftësi të kufizuara
Zyrtarët policorë janë pajisur me kartela xhepi, për qasje cilësore ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës. Policia thotë se më 15.01.2025, përmes një ceremonie të veçantë i ka pranuar 8,000 kartela xhepi nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Kartelat janë ndarë në dy gjuhët zyrtare: shqip dhe serbisht, si dhe në gjuhën angleze – njofton Policia.
“Kartelat janë ndarë në gjuhën shqipe (7000), serbe (1000) dhe angleze (40), të cilat do të shpërndahen te zyrtarët hetues, sektorial dhe reagues e do të (lehtësojnë) punën e PK-së në përmirësimin e shërbimeve ndaj komunitetit.” – ka njoftuar Policia, më 16.01.2025.
Policia e Kosovës e sheh si hap të rëndësishëm këtë mundësi, për trajtimin e personave me aftësi të kufizuara nga ana e tyre.
“(Kartelat) do të ndihmojnë zyrtarët policorë në trajtimin profesional të rasteve, që përfshijnë këtë kategori qytetarësh. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit me OSBE-në – duke forcuar përkushtimin e PK-së për profesionalizëm dhe gjithëpërfshirje në shërbimet ndaj qytetarëve.” – ka theksuar Policia.