Policia nuk gjen asgjë të dyshimtë në Stacion të Autobusëve pas alarmit për mjete shpërthyese

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Policia sot në mëngjes ka pranuar një telefonatë anonime nga një person i cili ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese i cili tashmë është cilësuar si lajmërim i rrejshëm

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zëdhënësja e Policisë së rajonit të Prishtinës Flora Ahmeti.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zone dhe në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët.

Një informatë të njëjtë Policia e Kosovës e kishte marrë edhe më 23 dhjetor 2021 dhe 5 janar 2022.

Pas ekzaminimeve policore dhe evakuimit të qytetarëve në atë zonë, këto raste në polici ishin hapur si lajmërim i rremë.

Sërish alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, Policia evakuon qytetarët