
Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Policia njofton për tre të arrestuar në Gjilan dhe Vushtrri, lidhur me procesin zgjedhor
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, më 09.02.2025, ka arrestuar tre persona në Gjilan e Vushtrri, në tri raste të ndryshme që kanë të bëjnë më procesin zgjedhor.
Sipas njoftimit në Gjilan është arrestuar një person, nën dyshimin për cenim të fshehtësisë së votimit.
I dyshuari me vendim të Prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër në Gjilan Policia ka arrestuar një person, pasi që i njëjti kishte shkuar në Qendër të Votimit, edhe pse Qendra ka qenë e mbyllur dhe nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u larguar, si dhe ka tentuar të sulmojë zyrtarin policor. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në një rast në Vushtrri një person është arrestuar, nën dyshim për cenim të fshehtësisë së votimit. I njëjti me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
Më 09.02.2025, në Kosovë janë mbajtur Zgjedhjet nacionale.
Deri më tani sipas rezultateve preliminare me 90.13% të votave të numëruara Lëvizja Vetëvendosje prin si e para me 311 mijë e 907 vota, apo 41.00%; Partia Demokratike e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marrë 22.37% të votave, apo 170 mijë e 198 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.57%, apo 133 mijë e 693 vota; koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.56% të votave, apo 57 mijë e 539.