Policia njofton departamentin e gabuar të prokurorisë për të shtënat me armë në veri

Mbrëmë në orët e vona ka pasur të shtëna me armë në Zubin Potok, të cilat Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë nëse kanë qenë nga brenda territorit të Kosovës apo Serbisë.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar Prokuroria e Mitrovicës.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani ka thënë për KALLXO.com se janë njoftuar gabimisht për të shtënat, për shkak se për këtë është dashur të njoftohen Krimet e Rënda ndërsa policia ka njoftuar Departamentin e Përgjithshëm.

“Është njoftuar mbrapsht prokuroria, në vend se me u njoftu Departamenti për Krimet e Rënda është njoftu Departamenti i Përgjithshëm. Njoftimi ka qenë se të shtënat kanë qenë nga territori i Serbisë”, ka deklaruar Ujkani.

KALLXO.com ka raportuar dje se janë dëgjuar në orët e mbrëmjes në Zubin Potok, më saktësisht në zonën e fshatit Bube.

KALLXO.com ka mësuar se të shtënat janë dëgjuar nga patrulla e policisë kufitare të Kosovës por nuk dihet nëse të shtënat kanë qenë në drejtim të Policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për KALLXO.com se të shtënat nuk ndërlidhen me ndonjë rast policor dhe se ende nuk dihet se a kanë ndodhur në pjesën e territorit të Kosovës apo Serbisë.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, mund të ju informojmë se në afërsi të fshatit Bube që gjendet në zonën kufitare Mitrovicë Veri, janë dëgjuar disa të shtëna me armë.Të shtënat nuk ndërlidhen me ndonjë rast policor dhe se ende nuk dihet se a kanë ndodhur në pjesën e Republikës së Kosovës apo të Serbisë. Policia e Kosovës është duke ndërmarr veprimet e saja policore”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Të shtëna me armë në Zubin Potok