Policia nis hetim serioz për protestën e paralajmëruar në Mitrovicë, dyshohet se u iniciua nga jashtë

Një burim i KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se një hetim është hapur për të zbuluar se kush është shkëndija e një paralajmërimi për protestë në Mitrovicën Jugore, sot në mesditë.

Ky burim i ka thënë KALLXO.com se ka dyshime se grupe të influencuara nga jashtë me profile të rreme kanë nisur protestën e paligjshme.

Sipas ligjit, protestat duhet të njoftohen në Polici për të qenë të ligjshme ndërsa deri më tani asnjë person nuk ka marrë leje për këtë protestë.

Policia gjatë ditës i ka paralajmëruar qytetarët se pjesëmarrja në këtë nismë është e rrezikshme për shkak se nuk dihen organizatorët ndërsa ka paralajmëruar hetime edhe për ata që shprëndajnë në rrjetet sociale këtë thirrje.

Për këtë ka reauar edhe vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit, përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.

“Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale. Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit”- ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla i ka ftuar të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime.