Policia nis hetim për dëmtimin e billboardit "Liria ka Emër" në Graçanicë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka iniciuar një hetim lidhur me djegien e billboardit “Liria ka emër” që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Graçanicë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot kemi pranuar informatën lidhur me dëmtimin e  një tabele reklamuese (Billboard) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan”, ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

“Aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, thuhet në përgjigjen e saj.

KALLXO.com ka raportuar sot për rastin në fjalë.

“Liria ka emër” është një platformë që është formuar për t’u dalë në mbrojtje ish-udhëheqësve të UÇK-së , të cilët janë duke u gjykuar në Hagë nga Dhomat e Specializuara.

Digjet billboardi i ‘Liria ka emër’ në hyrje të Graçanicës