Foto: Policia e Kosovës

Policia në Vërmicë gjen një veturë të vjedhur më 2016

Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Vërmicë ka hasur në një veturë të dyshuar, ku pas kryerjes së procedurave të parapara ka rezultuar si veturë e vjedhur jashtë vendit në vitin 2016.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 29 maj 2022 rreth orës 22:00, ku në pikën kufitare në Vërmicë, konkretisht në drejtimin e qarkullimit nga Shqipëria në hyrje për në Kosovë, është ndaluar vetura e tipit Land Rover, LW, ngjyrë e zezë me targa vendore, me drejtues burrë kosovar.

Tutje është thënë se gjatë verifikimit të të dhënave të veturës dhe regjistrimit të saj në sistem, vetura e lartcekur është selektuar për kontroll në vijën e dytë, ku gjatë realizimit të kontrollës tek numri identifikues i veturës, është dyshuar se ka ndërhyrje.

Më pas, është kërkuar nga Policia e Frontex-it që të bëhet verifikimi i veturës, me ç’rast ka rezultuar se e njëjta veturë është vjedhur në vitin 2016 në një shtet tjetër.

Policia ka treguar se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Ky i fundit thuhet se ka urdhëruar që vetura dhe leja e qarkullimit të sekuestrohen dhe rasti të vazhdoj  në procedurë të rregullt ndërsa lënda për hetime të metutjeshme i është dorëzuar njësisë për hetimin e auto-krimeve.