Policia në Skenderaj realizon kontrolle në shkolla, sekuestron disa thika

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me masa dhe kontrolle sigurie, të cilat janë zbatuar në tri shkolla të mesme të larta në Skenderaj.

Sipas njoftimit, si rezultat i kontrollimit në posedim te nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Qendra e Kompetencës” janë gjetur dhe sekuestruar 5 thika dhe 1 shufër metalike.

“Mbi bazën e vlerësimit dhe rrethanave bëra nga  këshillat  i prindërve, këshillat e shkollave  dhe autoriteteve të arsimit, me qëllim të parandalimit janë zbatuar masa sigurie përmes urdhër- kontrollit në bazë urdhëresës së lëshuar nga Gjykata kompetente me ç’ raste janë kontrolluar nxënësit e tri shkollave të mesme në Skenderaj”, thuhet në kumtesen e Policisë së rajonit të Mitrovicës.

Veprimet policore dhe provat e gjetura materiale i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku është sugjeruar që rasti të iniciohet dhe hetohet ne procedurë të rregullt, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, posedim i paautorizuar i armës”.