Noizy dhe Bahtjar Bajraktari

Policia në Shqipëri arreston Noizyn dhe Bahtjar Bajraktarin

Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë arrestuar në Shqipëri ka njoftuar se kanë arrestuar dy personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se dy personat e arrestuar janë Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari.

Dy të arrestuarit u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se menjëherë pasi është marr kjo informatë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve dhe në kuadër të operacionit policor “Fast” kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Policia e Shtetit tha se kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

Për rastin të cilin kërkohen nga Policia e Kosovës dy të arrestuarit, në kërkim është shpallur edhe Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.

Lushaj sipas Policisë së Kosovës dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor.

Reperi nga Shqipëria Noizy ka reaguar dje, më 06.08.2024, duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.

“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero” – tha Noizy në reagimin e tij.

Ai tutje shtoi se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë të cilën pretendon që është duke u bërë ndaj tij.

“Dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë” – tha reperi.

Ai tha se bashkë me studio të avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.

Pas Noizyt, Policia e Kosovës kërkon ndihmë nga qytetarët për ta lokalizuar edhe Stresin