Policia në Serbi bastis Zyrat e Kontrolluesit të Fakteve "Istinomer", reagon EFCSN: Sulm i papranueshëm ndaj lirisë së shtypit

Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) e ka dënuar ashpër bastisjen në organizatën joqeveritare në Serbi, Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) – organizatë kjo që drejton platformën e kontrollit të fakteve “Istinomer.rs”.

Sipas një komunikate për media, Policia serbe ka hyrë më 25.02.2024, në ambientet e disa OJQ-ve dhe botuesve të mëdhenj serbë – përfshirë CRTA-në.

EFCSN thotë se ky incident është një sulm i papranueshëm ndaj shoqërisë civile, lirisë së shprehjes dhe kontrollit të fakteve.

“Bastisja u krye nën maskën e një hetimi të pabazë korrupsioni në lidhje me përdorimin e fondeve që OJQ-të morën nga USAID, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Këto akuza janë qartësisht të rreme dhe janë një formë frikësimi kundër një organizate të pavarur mediatike. Kontrolluesit e fakteve në Serbi i thonë të vërtetën pushtetit.” – thuhet në reagimin e EFCSN.

EFCSN vlerëson se ky “sulm i Qeverisë serbe nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për të mbyllur gojën e shtypit të lirë”.

“U bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të ndërpresin veprime të tilla.” – thuhet tutje në reagim.

Në reagim, Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve thekson se si anëtar i EFCSN, Istinomer.rs vepron sipas standardeve më të larta të përgjegjshmërisë, transparencës dhe standardeve gazetareske – siç përshkruhet në Kodin e Standardeve të EFCSN.

“Ngacmimi i kontrolluesve të fakteve të cilët punojnë për të mbrojtur lirinë e informacionit dhe vlerat demokratike në vendet e tyre është një prirje alarmante, e cila vetëm sa po përshpejtohet. EFCSN shpreh shqetësim të thellë për këtë sulm dhe qëndron me Istinomer.rs.” – theksohet mes të tjerash në komunikatë.

Që nga korriku i vitit 2020, Istinomer është partner zyrtar i Metës për Serbinë në luftën kundër dezinformimit në rrjetet sociale: Facebook dhe Instagram.

Istinomer kontrollon përmbajtjen dhe skanon dezinformatat në gjuhën serbe, të publikuara në këto platforma çdo ditë, si dhe analizon manipulimet që përhapen në media dhe në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) raporton se Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka ngritur një rast dhe ka kontaktuar Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, për të ofruar informacionin e nevojshëm në lidhje me dyshimet që ishin ngritur nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë amerikane, në lidhje me keqpërdorimin e fondeve të USAID-it.

Sipas RTS-së, në këto deklarata përmendeshin organizatat joqeveritare, si dhe Kontraktorët nga SHBA, të cilëve iu dhanë projekte në Serbi.

Më 25.02.2025, Policia me urdhër të Prokurorisë filloi mbledhjen e informacioneve në lidhje me punën e Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Fondacionit Civil për Iniciativa Praktike dhe Qendrës për Iniciativa Qytetare dhe Politikë.

Kryeprokurori publik i Prokurorisë Publike të Beogradit, Nenad Stefanoviq ka thënë se për të verifikuar akuzat dhe për të grumbulluar prova në lidhje me dyshimet për “keqpërdorim të fondeve të USAID-it”, për “keqpërdorim të fondeve” dhe për “shpëlarje të mundshme parash”, Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i ka kërkuar Policisë të mbledhë informatat e nevojshme – raporton RTS-ja.