Policia në Prizren vazhdon të punojë me orar të zgjatur, 109 policë dërgohen në vetizolim

Njësitet policore të rajonit të Prizrenit po vazhdojnë të punojnë me orar të zgjatur prej 12 orësh.

Kjo për shkak të zyrtarëve policorë të infektuar me coronavirus dhe atyre që janë dërguar në vetizolim për shkak të kontaktit me të infektuarit.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Po deri tash vetëm Prizreni është duke punuar me orar të zgjatur. Kjo për shkak të rasteve të fundit që kanë dal pozitiv, gjithashtu edhe për shkak se kemi një numër të madh të policëve që janë në vetizolim për shkak të kontaktit me zyrtarët tjerë policor që kanë dalë pozitiv me coronavirus”, tha Osmanollaj.

Tutje ai shtoi se janë gjithsej 109 policë që janë në vetizolim përfshirë edhe të infektuarit.

“Nuk kemi vështirësi në menaxhim pasi që po marrim ndihmë dhe po mbulohemi me zyrtar policor edhe prej rajoneve të tjera”, tha Osmanollaj tutje.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me zgjatjen e orarit të punës së zyrtarëve policor për shkak të menaxhimit të pandemisë COVID-19.