Ilustrim, Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Policia në Prizren arreston 27 vjeçarin me rrezikshmëri të lartë

Policia në rajonin e Prizrenit gjatë ditës së sotme ka arritur që të arrestoj një person të dyshuar me rrezikshmëri të lartë.

Sipas njoftimit, sot pas një punë intensive operative nga njësiti i hetimeve rajonale dhe njësia speciale operative është ndaluar dhe arrestuar personi i dyshimtë me rrezikshmëri të lartë D. M., 27 vjeçar.

“I dyshimti si një recidivist i veprave penale, në kohët e fundit është akuzuar për dy raste serioze të “Tentim vrasjes” dhe rastit “Kanosje”. Andaj, sot pas një rezistence që ka treguar kundër organeve të rendit, i njëjti duke provuar ti shmanget ndalimit dhe arrestimit ka provuar ikjen nga organet e rendit, por njësitë speciale të policisë në Prizren, rreth orës 14:30 kanë arritur ta ndalojnë të dyshimtin e veprave penale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, i dyshuari kishte në posedim një armë të tipit Ekol Special99 dhe 5 fishekë.

“Pas ndalimit dhe arrestimit policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar armën e cila dyshohet së është përdorur nga i dyshimti në dy rastet e mëhershme. Rasti është duke u trajtuar nga njësia e hetimeve rajonale në Prizren, dhe për këtë rast është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prizren i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orë”, thuhet në njoftim.