Kontrollet, Foto: Policia e Kosovës

Policia në Mitrovicë shton kontrollet për personat në vetizolim

Zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, kanë shtuar kontrollet ndaj personave me masa vetzolimi, në kuadër të zbatimit dhe implementimit të masave kundër COVID-19.

Policia ka njoftuar se për shkak të rritjes së numrit të masave për persona në vetizolim, po ndërmerren masa të intensifikuara duke përfshirë, vizita dhe kontrolle verifikuese në lokacione, shtëpi dhe banesa të personave në vetizolim.

Sipas PK-së, kontrollet po realizohen nga zyrtarë policorë të uniformuar dhe në rroba civile, me qëllim të verifikimit  që masat e shqiptuara për persona në vetizolim të jenë në përputhje me afatin e përcaktuar kohor nga institucioni kompetent, e paraparë si masë parandaluese.

“Ndaj personave të cilët nuk zbatojnë masat e parapara, policia është duke ndërmarrë masa sipas autorizimeve dhe kompetencave ligjore të parapara me Ligjin per parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të zbatojnë dhe t’ iu përmbahen masave të  parapara për  parandalimin dhe luftimin pandemisë COVID-19.

Sipas vendimeve të institucioneve shëndetësore, vetizolimi për personat që janë infektuar me COVID-19 zgjatë dy javë.

Kosova po përballet me gjendje të rëndë me pandeminë COVID-19.

Në 24 orët e fundit si pasojë e coronavirusit kanë vdekur 32 qytetarë. Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 26 mijë e 524.

 

Foto: Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës