Policia: Në manastir u gjet një helmetë e Policisë e cila është marrë nga vendi ku u vra Afrim Bunjaku

Policia e Kosovës ka thënë se në manastirin e Banjskës është gjetur një helmetë e Policisë së Kosovës, e cila sipas Policisë, është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Po ashtu, krahas helmetës janë gjetur edhe dy armë të gjata AK-47.

“Vlen të theksohet se dy armë të gjata AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e PK-së e cila është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu është bërë të ditur se në kuadër të operacionit në fshatin Banjskë, përveç arrestimit të dy personave të tjerë në një hotel në Banjskë mbrëmë, po ashtu në zonën e këtij fshati është gjetur edhe një tjetër arsenal të armëve.

Deri më tani, numri i të arrestuarve që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ka shkuar në tetë.

Në komunikatën e fundit të Policisë është bërë e ditur edhe sasia dhe llojet e armëve që janë gjetur mbrëmë në Banjskë.

“Mjetet e konfiskuara me 25 shtator përbëjnë një veturë e rëndë e blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm), një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelek antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Arrestohen dy persona në një hotel në afërsi të fshatit Banjskë