Ilustrim

Policia në Gjilan konfiskon 21 patentë-shofer e shqipton mbi 1,400 gjoba javën e fundit

21 patentë-shofer janë konfiskuar, 1,400 gjoba për kundërvajtje në trafik dhe 29 gjoba për vozitësit e automjeteve me parregullsi teknike janë shqiptuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan në 7 ditët e fundit.

Këto automjete janë përjashtuar nga trafiku rrugor.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe Stacionet Policore të DRP Gjilan kanë ndërmarrë këto veprime në kuadër të Planit Operativ “Siguria në trafikun rrugor” në zonën e përgjegjësisë që mbulon 7 komuna.

Në kuadër të këtyre planeve po ashtu janë hetuar 20 aksidente me dëme materiale dhe 8 aksidente me të lënduar.

“Njësitet Policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Gjilan kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit të automjeteve me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të komunikacionit rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet.” – thuhet në njoftim.