Ilustrim

Policia në Gjakovë shton angazhimin kundër armëve në ahengje familjare

Tre persona janë arrestuar gjatë ditëve të fundit në rajonin e Gjakovës nën dyshimet se  kanë përdorur armë në ahengjet e tyre familjare.

Policia në rajonin e Gjakovës ka njoftuar se në kuadër të angazhimeve policore në zbatimin e planit operativ ,,Sezoni veror”, përkatësisht të fushatës me moton ,, Festo me zemër, jo me armë”,  gjatë ditëve të fundit, kanë reaguar në disa  lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë zjarri në ahengje të ndryshme .

“Veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacioneve ku ishin dëgjuar të shtënat, në dy lokacione në qytetin e Gjakovës dhe një në fshatin Marmull,  ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në ato lokacione të konfiskohen tri armë  të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare”, ka njoftuar policia.


Policia thotë se në cilësi të personave të dyshuar janë arrestuar tre persona të cilët kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese tre të  dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar  për procedurë të rregullt.

Në njoftimin e policisë thuhet se në gjashtë mujorin e fundit stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë kanë konfiskuar mbi tridhjetë armë të mbajtura pa leje dhe një sasi të konsiderueshme të municionit që ndërlidhen me raste të ndryshme.

Policia në Gjakovë ka bërë apel tek qytetarët që të shmangin veprimet e tilla të kundërligjshme të cilat paraqesin rrezik për individët që i përdorin dhe për qytetarët në përgjithësi.