Policia në Gjakovë jep detaje për aksionin për parandalimin e COVID-19

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në vazhdim të implementimit të planit operativ për “Gatishmëri dhe reagim ndaj pandemisë COVID-19”, gjatë fundjavës së kaluar ka ndërmarrë masa të shumta operative, si pjesë e një aksioni të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Policia në Gjakovë ka bërë të ditur se në këtë aksion, i cili do të vazhdoj edhe ditëve në vijim, përveç njësive patrulluese kanë qenë të përfshira edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Inspektorët sanitar e ata komunal.

“Gjatë 24 orëve të fundit, Policia në zonën e përgjegjësisë të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës ka iniciuar katër raste penale për “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, janë arrestuar katër persona të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, janë mbyllur katër operator ekonomik, dy qendra sportive në komunën e Gjakovës, një qendër sportive në komunën e Malishevës dhe një pishinë në komunën e Rahovecit, ndërsa pronarëve ju është shqiptuar gjobë nga inspektorët sanitar / komunal, dhe janë shqiptuar 149 gjoba për qytetarë dhe operatorë ekonomik për mos respektim të rekomandimeve, mbajtje të distancës, maskës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia në Gjakovë ka bërë të ditur se po vazhdon të jetë në ballë të përpjekjeve të përbashkëta për parandalim të përhapjes së pandemisë  dhe  kontaktet e shumta me qytetarë (në shumë raste edhe me persona të infektuar) kanë bërë që ky virus të rrezikoj edhe zyrtarët  policor.

“Aktualisht, vetëm në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë kemi 15 zyrtarë policor në vet-izolim, 7 prej të cilëve të konfirmuar pozitiv në testet për COVID-19. Me qëllim ruajtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë – Gjakovë njofton se aktivitete vetanake dhe të bashkërenduara me mekanizma tjerë kompetent do të këtë edhe ditët në vijim, ndërsa masat e marra nga Policia dhe Inspektorët do të jenë edhe më të ashpra dhe më rigoroze”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë masat dhe vendimet e marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës,  dhe të iu përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për mbajtje të distancës, vendosjen e maskave dhe dorezave mbrojtëse dhe evitimin e grumbullimit apo daljeve të panevojshme.