Policia në Ferizaj takon pronarët e pikave të karburanteve, u premton siguri më të lartë

Drejtoria Rajonale e Ferizajt ka mbajtur një takim me pronarët e pikave të karburanteve të rajonit të Ferizajt, me qëllim që të diskutohet situata e sigurisë në këtë rajon.

“Situata është vlerësuar të jetë e qetë në rajonin e Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në këtë takim po ashtu është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth pikave të karburanteve në rajonin e Ferizajt.

“Kjo për shkak të parandalimit të incidenteve kriminale, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve”, është thënë tutje.

Sipas këtij njoftimi drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Basri Shabani ka siguruar pronarët e pikave të karburanteve se do të shtohet masat e sigurisë në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit.

“Policia do të angazhojë të gjitha njësitet e saja, pëfshirë policët e rendit, Njësinë e Komunikacionit Rrugor, hetuesit e stacioneve policore, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, Inteligjencën dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë ( NJRSH)”, thuhet tutje në komunikatë.