
Policia në Ferizaj për një muaj shqiptoi 680 gjoba për shkelje në trafik
Gjatë muajit janar të vitit 2025, Policia e Ferizajit – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, gjatë patrullimeve me veturë inteligjente ka shqiptuar 680 gjoba për kundërvajtje.
Më së shumti gjoba janë shqiptuar ndaj ngasësve të cilët nuk e respektuan shpejtësinë e lëvizjes.
“Veturë inteligjente e cila ka të instaluara pajisje të avancuara elektronike (sensorë dhe radarë) ka identifikuar dhe shqiptuar 680 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, gjatë muajit janar 2025. Shkeljet më të shpeshta përfshijnë: mosrespektimi i shpejtësisë së lëvizjes (370 gjoba), përdorimi i telefonit gjatë ngasjes (38 gjoba).” – thuhet në Raportin e Policisë së Ferizajt.
Gjatë patrullimeve në muajin e parë të vitit janë hasur edhe ngasës të cilët kanë drejtuar automjetet pa patentë shoferë dhe me regjistrim të skaduar.
“Skadimi i regjistrimit të automjetit (32 gjoba), xhamat e errësuar në automjet (29 gjoba), mospërdorimi i rripit të sigurisë (20 gjoba), drejtimi i mjetit pa patentë shoferi (17 gjoba), tejkalime të parregullta (12 gjoba) dhe për shkelje të tjera janë shqiptuar 162 gjoba.” – njoftoi Policia.
Mes të tjerash, Policia Rajonale e Ferizajit apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik “që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë”.
Gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje të vërejtur në trafik.