Policia në Ferizaj konfiskon 27 motoçikleta dhe skuterë

27 motoçikleta dhe skuterë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës më 28.07.2024 në Ferizaj.

Përpos kësaj, Policia shqiptoi edhe 61 gjoba për kundërvajtje të ndryshme të shkaktuara në komunikacion nga motoçikletat.

Kështu është thënë në një komunikatë për media të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Feizaj, ku është njoftuar se ka filluar së zbatuari plani i veprimit “Motoçikleta 2024”.

Policia tha se gjatë patrullimeve dhe pikave të kontrollit policia ka ndaluar disa persona, të cilët po drejtonin motoçikletat dhe skuterët në kundërshtim me rregullat e trafikut.

Sipas Policisë motoçikletat e skuterët u konfiskuan pasi drejtuesit nuk kanë poseduar dokumentacion të rregullt.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në komunikacionin rrugor, me synim parandalimin e aksidenteve dhe apelojmë tek drejtuesit e motoçikletave që të bëjnë kujdes në komunikacion, të mos drejtojnë motoçikletat dhe skuterët në kundërshtim me rregullat e komunikacionit rrugor dhe të pajisen me dokumentacion të nevojshëm” – u tha në komunikatë.

Tutje Policia falënderoi qytetarët për bashkëpunim, ndërsa inkurajon edhe të tjerët që të bashkëpunojnë më policinë.

Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, Policia kërkoi të njoftohet menjëherë stacioni më i afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.