Policia në Ferizaj kërkon ndihmë për arrestimin e prishtinasit të dyshuar

Adil Krasniqi, 33 vjeçar nga Prishtina është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Në bazë të kërkesës së Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga qytetar për arrestimin e të dyshuarit për disa raste të ndryshme penale.

“Luten të gjithë qytetarët të cilët posedojnë informata lidhur me vendndodhjen e këtij personi apo ndonjë informatë lidhur me këtë person, të njoftojnë stacionin policor më të afërm si dhe në numrat e telefonit 192, 044 504 102, 0290 322 013 dhe 0290 322 406.

KALLXO.com merr vesh se i dyshuari i cili po kërkohet nga ana e policisë është i përfshirë në grabitjen e bankës në Shtime.

Prokuroria në Ferizaj ka bërë sot të ditur se dy persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin e grabitjes së një filiali të një banke që ndodhi në Shtime të hënën, më 2 shtator.

Në një komunikatë, Prokuroria në Ferizaj tha se pas një punë intensive të hetuesve rajonalë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjyqtarin, ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar për rastin e grabitjes së ndodhur në “Raiffeisen Bank” në Shtime.

“Gjatë këtij operacioni, janë arrestuar të dyshuarit me iniciale K.H., dhe A.L, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria thotë se i dyshuari tjetër me inicialet A.K. gjendet ende në arrati.


Policia kishte njoftuar se katër persona me armë të gjata janë përfshirë në grabitjen e bankës në Shtime.

Shtime: Të shtëna me Kallashnikov, Grabitet banka