Policia në Durrës vë në pranga dy të dyshuar për vrasjen e një 32-vjeçareje. FOTO: Screenshot, Policia e Shtetit/Facebook.
Policia në Durrës vë në pranga dy të dyshuar për vrasjen e një 32-vjeçareje
Policia në Durrës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për vrasjen me thikë të një 32-vjeçareje e cila dje paradite rreth orës 10:35 u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit.
Po ashtu janë proceduar penalisht tre shtetase që kanë qenë të pranishme gjatë ngjarjes, për moskallëzim të krimit.
Policia ka njoftuar se pas hulumtimit ka rezultuar se dy të dyshuarit dhe tri shtetaset e proceduara, gjatë ngjarjes së ndodhur poshtë urës së Dajlanit, kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, të dyshuarit që janë vënë në pranga janë A. B., 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Y. G., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
“Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit A. B. dhe Y. G., për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare). Gjatë konfliktit, shtetasit A. B. dhe Y. G. kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen L. P., e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi”-thuhet në Njoftimin e Policisë.
Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi sipas Policisë, ato kanë qenë të pranishme gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici.
Po ashtu është bërë e ditur se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.