Policia në disa raste sekuestron qindra pako me cigare në Aeroportin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në disa raste, gjatë muajve dhjetor 2024 dhe janar 2025, ka sekuestruar qindra pako me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas njoftimit, pakot me cigare kanë qenë të destinuara kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në rastin e fundit të ndodhur më 11 janar 2025 është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove – shtekave me cigare, të cilat i dyshuari mashkull shtetas bullgar ka tentuar t’i kontrabandojë përmes Kosovës në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.” – thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, në katër rastet në total, janë sekuestruar mbi 340 pako me cigare të llojeve të ndryshme.

“Policia e Kosovës, së bashku me institucionet kompetente, njofton opinionin dhe qytetarët se ka rritur angazhimet dhe prezencën e saj në kontrollet e pasagjerëve, te të cilët ka dyshime për kontrabanda të tilla.” – thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.