Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia në aksion, arreston dy persona dhe konfiskon drogë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e tjera të sigurisë kanë zhvilluar një aksion ku janë arrestuar dy persona dhe është konfiskuar një sasi e drogës.

Aksioni u zhvillua më 1.11.2024 në dalje të autostradës në Mazgit.

“Gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur rreth 9 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë. Kurse gjatë kontrollit të dy personave që kanë qenë në veturë, janë gjetur dhe rreth 0.5 gr lëndë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe te personi tjetër rreth 94 gr lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë” – thuhet në njoftim.

“Gjatë kontrollit në njërin lokacion janë gjetur 16 gr lëndë narkotikë, dyshohet të jetë kokainë. Kurse, në lokacionin tjetër janë gjetur 418 gr lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë”- vijon njoftimi.

Sipas policisë, në tërësi, gjatë këtij operacioni policor janë konfiskuar 9 kg e 512 gr lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe 16.5 gr substancë që dyshohet të jetë kokainë. E tërë lënda narkotike e konfiskuar, mendohet se ka vlerë tregu rreth 15 mijë euro.

Po ashtu, janë konfiskuar edhe një veturë dhe një telefon.

“Pas intervistimit të të dyshuarve, me aktvendim të prokurorit, dy të dyshuarit:  R.H., (viti i lindjes 1965, mashkull kosovar) dhe A.Z., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar), janë dërguar në mbajtje” – thuhet në fund të njoftimit.

Foto: Policia e Kosoves