Policia ndërhyn në Trepçë pas raportimit të KALLXO.com

Ende pa kaluar 24 orë nga transmetimi i emisionit “KallxoPernime” i titulluar ‘Vjedhja e Trepçës’, Policia ka nisur punën në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm që sigurojnë të dhëna për dyshimet e ngritura mbrëmë nga emisioni.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmuar Burim Hajdini, udhëheqës i Departamentit të shitjes në ndërmarrjen Trepça.

“Njësiti i krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës sot në mëngjes kanë qenë këtu për qasje në dokumentacion ku na kanë informuar që kërkojnë dokumentet që lidhen me peshoret dhe eksportit të koncentratit të plumbit dhe zinkut, tash ne jemi në pritje të dokumentacionit përcjellës dhe po besoj që nesër përsëri do jenë të pranishëm këtu për me i tërheq të gjitha dokumentacionet e kërkuara”, theksoi Hajdini.

Mbrëmë në emisionin “Kallxo Pernime” u transmetua hulumtimi rreth vjedhjes së koncentratit në ndërmarrjen Trepça.

Peshorja e kësaj ndërmarrjeje ku peshohet koncentrati i plumbit dhe zinkut kishte matur sasi më të vogël sesa që ishte e ngarkuar në maune.

Peshorja, e cila gjendet në Stan Tërg të Mitrovicës, kishte matur diku rreth 340 kilogramë më pak të ngarkesës apo kthyer në vlerën monetaret diku mbi 500 dollarë amerikan në një maune.

Emisionin e plotë ku u zbulua skandali për dyshimet se nga Trepça u vodhën mijëra tonelata minerale mund ta ndiqni ne linkun e mëposhtëm.