Shkolla fillore "Anadolu". Mamushe. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla
Policia ndërhyn në një rast me vëzhgues në Mamushë
Në orën e parë të hapjes së vendvotimeve janë raportuar dy raste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në Komunën e Mamushës është ftuar edhe policia që të ndërhyjë në një rast me disa vëzhgues.
Sipas të dhënave të KQZ-së, rreth orës 8 është raportuar se ka numër të madh të vëzhguesve nëpër vendvotime si dhe në korridor të një qendre të votimit.
Menjëherë është njoftuar dhoma operative e KQZ-së ndërsa këta të fundit kanë kërkuar nga menaxheri i qendrës së votimit që të largohen vëzhguesit nga korridori.
Sipas KQZ-së, menaxheri së bashku me policinë, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe kanë larguar numrin e madh të vëzhguesve nga korridoret e qendrës së votimit në Mamushë.
Rreth orës 7 e 42, në Prishtinë në shkollën “Sami Frashëri” sipas të dhënave të KQZ-së, ishte raportuar se nuk ishin zëvendësuar anëtarët e subjekteve politike, të cilit ishin nga rundi i parë.
E kontaktuar nga dhoma operative e KQZ-së, kryesuesja e kësaj qendre ka njoftuar se të gjithë anëtarët janë zëvendësuar sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas orës 8 të mëngjesit, në Rahovec dhe Dragash, dhoma operative e KQZ-së ka marrë raporte se dy vendvotime në këto komuna po funksionojnë me nga një anëtar më pak.