Policia ndalon dy të dyshuar për kanosjen e vëllait të pronarit të barnatores 'Rexall'

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se lidhur me rastin ku i dëmtuar është pronari i barnatores “Rexall” në lagjen ‘Ulpiana’, i cili ishte sulmuar para disa ditësh nga disa persona me mjete të forta, kanë autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik lidhur me rastin ku i dëmtuar është pronari i barnatores “Rexall”, në Prishtinë, D. A., i cili para disa ditësh është sulmuar nga disa persona me mjete të forta, ashtu që, prokurori kujdestar, ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore”, thuhet nga prokuroria.

Sipas tyre, më 24 maj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast i veprës “Kanosje” ku i dëmtuar është vëllai i pronarit të lartcekur dhe me aktvendim janë ndaluar për 48 orë të dyshuarit B. M. dhe A. S.

“Derisa, më 24 maj 2022, me urdhër të prokurorit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 të KPRK-së, ku i dëmtuar në këtë rast është A. A., (vëllai i të dëmtuarit të lartcekur) dhe me aktvendim mbi ndalim janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh të dyshuarit B. M. dhe A. S.”, thuhet tutje nga prokuroria.

Në njoftim bëhet  ditur se ndaj të njëjtëve, më 25.05.2022, Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, në drejtim të veprës penale “Kanosja”, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.