Policia me projekt për siguri edhe në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë

Siguria në komunitet vazhdon të mbetet model i  përpjekjeve dhe realizimeve të përbashkëta të policimit në komunitet.

Mbi bazën e kësaj qasjeje, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë në partneritet me ICITAP-in dhe mbështetje të Komunës së Vushtrrisë, sot ka implementuar projektin “Vrojtuesit e lagjes”, njofton Policia.

Sipas njoftimit të Policisë në projekt morën pjesë struktura policore nga niveli qendror rajonal dhe lokal, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, përfaqësues të pushtetit lokal,  banorë e përfaqësues të fshatit Prelluzhë dhe fshatrave përreth.

Si model praktik në kuadër të këtij projekti është caktuar zona e fshatit Prelluzhë e komunës së Vushtrrisë, fshat ky me komunitet të përzier, me ç’rast në këtë lokalitet është vendosur tabela me  mbishkrimin “Vrojtuesit e lagjes”.

Vendosja e kësaj pllake synon të rrisë objektivat e përbashkëta, siç është parandalimi dhe zvogëlimi i nivelit të krimit, rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit, në identifikim dhe raportim  për çështje të sigurisë publike.

Banorët dhe përfaqësuesit e komunitetit mirëpritën shtrirjen e këtij projekti. Ndër të tjera aty u tha se ky projekt rrit dhe fuqizon  bashkëpunimin e ndërsjellë. Njëherësh u zotuan se do të vazhdojnë me qasjen  e përbashkët në identifikim dhe parandalim të dukurive negative në këtë zonë.

Ishte vlerësim i përbashkët se çdo bashkëpunim me Policinë në komunitet  është  çelësi  për zgjidhjen e çështjeve që reflektojnë  në sukses të përbashkët dhe siguri më të madhe për qytetarët.