
Foto: Policia e Kosovës
Policia me Plan Operativ për festat e fundvitit, apelon për mospërdorim të parregullt të mjeteve piroteknike
Me rastin e festave të fundvitit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar Planin Operativ “Fundviti 2024 dhe fillimi i 2025-tës”.
Përmes këtij Plani, Policia ka paraparë shtim të prezencës policore në rrugë dhe në ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve, me qëllim që të bëhet parandalimi e luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.
Plani Operativ është hartuar me qëllim të menaxhimit të situatës së sigurisë, gjatë kësaj periudhe festive.
“Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të një klime sa më të sigurt dhe të qetë, bazuar në detyrat e saj të cilat burojnë nga autorizimet e saj ligjore, ashtu sikurse edhe në të kaluarën përgjatë viteve paraprake, do të sigurohet që të vë në funksion të gjithë mekanizmat e saj, në mënyrë që në aspektin e rendit e sigurisë publike, festat e fundvitit të kalojnë qetë dhe pa incidente.” – njofton Policia.
Pos këtyre, Policia ka njoftuar se ka paraparë ndërmarrjen e masave parandaluese me shtim të prezencës policore, në të gjithë Republikën e Kosovës – përfshirë edhe zonat e ndjeshme, posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier. Përveç kësaj, ka paraparë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e dukurive negative të cilat mund të shkaktojnë jostabilitet, në çfarëdo mase që e rrezikon rendin, qetësinë e sigurinë publike.
“Në kuadër të këtij Plani Operativ do të ketë shtim të vigjilencës dhe prezencës së njësive të ndryshme policore në rrugë, me qëllim që të mbikëqyret trafiku rrugor e në mënyrë që të ndikohet në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe të incidenteve të mundshme në trafik. Njëkohësisht, apelon që përgjatë frekuentimit të trafikut rrugor, të respektohen të gjitha dispozitat ligjore, shenjat e trafikut, t’iu përmbahemi kushteve të rrugës, e në veçanti të mos drejtohen automjetet nën ndikim të alkoolit.” – shkruan në njoftim.
Me qëllim që të shmanget rreziku që mund të shkaktohet nga këto mjete, ngase përdorimi joadekuat i tyre mund të sjellë pasoja të rënda, Policia e Kosovës përmes njoftimit ka apeluar te të gjithë qytetarët, e në veçanti te prindërit/kujdestarët, që të jenë të vëmendshëm në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike (mjete plasëse-fishekzjarre) nga fëmijët.
“Policia e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore përkatëse, kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete të tjera të kundërligjshme, që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.” – shkruan në njoftim.