Policia me ndihmën e qytetarëve arreston të kërkuarin për drogë

Me 7 dhjetor të  vitit të kaluar, Policia në Rajonin e Pejës kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për arrestimin e një personi të dyshuar për drogë.

Sot, policia ka njoftuar se me ndihmën e qytetarëve, është arrestuar i dyshuari Elton Arifaj, ,34 vjeçar, i cili kërkohej për drogë dhe i njëjti ishte i dënuar me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 50 ditë.

Policia në Pejë ka njoftuar se falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të dënuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e tij dhe dje rreth orës 17:00 është bërë lokalizimi i tij, në rrugën “ Mujë Krasniqi” në Prishtinë.

“Njësitet Policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë ne Pejë, menjëherë e kanë arrestuar të kërkuarin e lartcekur, së bashku me të kërkuarin është arrestuar edhe një person i dyshuar D.M., 25 vjeçar, i dyshuar për të njëjtë vepër penale, dhe pas arrestimit gjatë bastisjes në banesën në të cilën qëndronin të dyshuarit janë  gjetur dhe konfiskuar nga Njësiti i trafikimit me narkotik: 472 gram narkotik e llojit marihuanë, një peshore elektronike për peshim në pesha të vogla, një mulli(grinder), dy telefona mobil, 115 euro e 77 cent, disa qindra qese të vogla plasmasi për ambalazhim të substancës së dyshuar”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar pas intervistimit është dërguar në ndalim policor për tu intervistuar për një vepër tjetër penale të vitit 2017 si i dyshuar për “zjarrvënie” e pastaj do të dërgohet në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

“Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e tyre do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore. Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në Polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend me të sigurtë.  Policinë e Kosovës në Rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.

KALLXO.com kishte raportuar kur Policia e Kosovës kishte shpallur në kërkim Elton Arifaj.

Policia e Pejës në kërkim të një të dyshuari për drogë