Foto: KALLXO.com

Policia me dron po vëzhgon situatën e protestës në Jarinjë - PAMJE

Policia e Kosovës po monitoron vazhdimisht situatën në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.

Përveç autoblindave, armëve të gjata e të shkurta, Policia është pajisur edhe me dron të cilin kohë pas kohe po e përdorin për të monitoruar situatën pas barrikadave të vendosura nga ana e qytetarëve serbë.

 

KALLXO.com raportoi pak më parë se tre helikopterë të forcave serbe, janë shfaqur në orët e pasdites së sotme në territorin e Serbisë, disa kilometra nga pika kufitare në Jarinjë.

Të njëjtit kanë qenë në qiell për disa minuta dhe kanë monitoruar situatën në pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Bërnjak e Jarinjë.

Territori i cili po shihet në pamjet e siguruara nga KALLXO.com është i Serbisë jo shumë larg nga pika kufitare me Kosovën në Jarinjë, e cila është bllokuar për shkak të protestës së qytetarëve të veriut të Kosovës në lidhje me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për reciprocitet me tabela të makinave.

Pas shfaqjes së helikopterëve serb, qytetarët protestues, kanë lëshuar tendat ku po qëndrojnë duke dalë para tyre.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, ka parë që menjëherë pas shfaqjes së helikopterëve, janë alarmuar edhe gazetarët e nacionalitetit serb, por edhe qytetarët të cilët po qëndrojnë së bashku përskaj rrugës së bllokuar me kamionë të shumtë.

Qytetarët kanë ndjekur shfaqjen e helikopterëve dhe më pas janë kthyer serish në vendet ku po qëndrojnë që nga dita e hënë, brenda tendave.

Helikopterë të forcave të Serbisë, patrullojnë rreth kufirit me Kosovën – VIDEO