
Foto/ Ramiz Kelmendi- Facebook
Policia me detaje të reja për zjarrin në ETC në Suharekë
Policia ka njoftuar se tashmë se zjarri në qendrën tregtare ETC në Suharekë është nën kontrollë të plotë.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi ka thënë për KALLXO.com se ka ende zjarre të vogla që kohë pas kohe po shpërthejnë por që në vendin e ngjarjes vazhdojnë të qëndrojnë njësitë e zjarrëfikësve.
“Ata po qëndrojnë në vendin e ngjarjes pasi që ka zjarre të vogla që po shpërthejnë në qendrën tregtare ETC si dhe për shkak se në afërsi gjendet edhe një tjetër qendër tregtare dhe një restauran”- tha Gashi për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi se edhe njësitet policore vazhdimisht po qëndrojnë në vend ngjarje pas informacioneve që morën në orët e mëngjesit për zjarrin që kaploi ETC në Suharekë.
“Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet edhe ato ligjore në lidhje me këtë rast”- tha Gashi.
Deri më tani nga hetimet preliminare nuk ka ende diçka e cila mund të konstatoj se cka shkaktoi zjarrin.
KALLXO.com raportoi se për këtë zjarr në ETC në Suharekë reagoi edhe drejtuesi i kompanisë Elkos, Ramiz Kelmendi.
Ai në reagimin e tij tha se nuk ka ndonjë person të lënduar deri sa për dëmet ka thënë se janë deri në 3 milionë euro.