Policia me detaje për incidentin në "Trepçë", tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar pas sulmit që ka ndodhur ndaj Ushtruesit të Detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmanit dhe drejtorit të administratës në “Trepçë” Besim Haxhiut.

Policia thotë se kishin marrë informacion se sot rreth orës 11:10 disa persona janë grumbulluar te zyrat e Trepçës dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Drejtori i ri i Trepçës se bashku me një bashkëpunëtor të tij të Trepçës ishin sulmuar nga disa persona të dyshuar ku dhe të dy kanë marr lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal Mitrovicë, e më pas janë liruar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë 50 vjeçari me inicialet R.I., 40 vjeçari me inicialet Sh.R., dhe 37 vjeçari me inicialet B.I.

Të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka njoftuar se ndaj të dyshuarve janë iniciuar veprat penale lëndim i lehtë trupor dhe sulm e pengim i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar për sulmin që ka ndodhur ndaj Abdurrahmanit dhe Haxhiut.

Në videon të cilën e ka siguruar KALLXO.com, disa persona shihen duke hyrë në vrap ndërsa dëgjohen momentet kur edhe kërkojnë personat e caktuar brenda objektit.

Incident në Trepçë, sulmohen u.d. kryeshefi dhe një drejtor – VIDEO