Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

Policia me aksion për masat anti-COVID në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka zhvilluar një aksion në Komunën e Prizrenit në realizimin e masave anti-COVID.

Gjatë aksionit, policia njoftoi se ka hasur edhe në 16 punëtore vullnetare nga Shqipëria të cilat punonin pa dokumente.

“Me datën 12 mars 2021, aksioni i policisë në Prizren është realizuar duke u bazuar në Vendimet e Qeverise së Republikës së Kosovës (masat mbrojtëse kundër Virusit Covid 19), dhe me këtë rast policia ka kryer kontrollë në disa lokacione, në lagjen Arbana, në rrugën “Beteja e Pashtrikut” dhe në rrugën “Ismail Kryeziu”, në fshatin Korishë dhe në Landovicë”, thuhet në njoftimin e focave të rendit.

Gjatë këtij aksioni, policia tregoi se janë shqiptuar disa gjoba për personat që nuk kanë respektuar masat anti-COVID.

“Gjate kryerjes se detyrës zyrtare, angazhimet policore në zbatim të masave “anti-Covid19” në komunën e Prizrenit, policia ka shqiptuar 68 tiketa për personat të cilët nuk i kanë respektuar këto masa në bazë të ligjit 07/L-006, dhe  gjithsej 4 fletë-paraqitje për bizneset e gastronomisë të cilët nuk e kanë respektuar orarin”, thuhet tutje në njoftim.

Por, gjatë këtij aksioni forcat e rendit hasën edhe në disa punëtore, shtetase të Shqipërisë. Për rastin u njoftua edhe prokurori i shtetit.

“Por, policia gjatë kontrollit në këto lokale ka gjetur edhe 16 puntore-valltare shtetase të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë qenë duke punuar pa dokumentacion të rregullt. Për këtë policia ka sekuestruar dokumentat dhe ka njoftuar Njësinë për Migrim dhe të Huaj. Për të gjitha veprimet policore u njoftua prokurori i Shtetit. Aktivitete të tilla do të jenë në vazhdimësi në parandalim dhe respektim të masave “Covid 19” dhe policia rajonale në Prizren do të jetë në zbatim të plotë të Vendimit të Qeverisë”, thuhet në fund të njoftimit.