Policia me aksion kundër bixhozit ilegal në Skenderaj

Policia në rajonin e Mitrovicës ka njoftuar për një rast të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Në bazë të njoftimit, nën dyshimet për këtë vepër penale, mbrëmë njësitet e stacionit policor në Skenderaj kanë realizuar një kontrollë brenda një lokali në Skenderaj.

“Gjatë kontrollit, në lokalin  ku dyshohej për veprimtari të dyshimta, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar pesë televizorë, tre shtëpiza kompjuteri, tre aparate të lojërave, një monitor dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si dëshmi për rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në bazë të njoftimit, në lidhje me rastin në cilësi të të dyshuari është intervistuar një person i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me  procedurat e mëtejme hetimore.