Foto: REL/EPA-EFE

Policia maqedonase ndalon dhjetëra imigrantë të fshehur në një kamion

Policia në Maqedoninë e Veriut ka zbuluar 53 imigrantë të fshehur në një kamion, në rajonin kufitar juglindor.

“Shoferi i kamionit është arrestuar, pasi ai dyshohet të jetë pjesë e një bande trafikimi. Ai është shtetas maqedonas”, tha policia përmes një njoftimi.

Kamioni u ndalua gjatë një kontrolli rutinor në afërsi të qytetit Valandovë, që ndodhet në afërsi të kufijve të Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë.

Imigrantët, për të cilët besohet se kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme nga Greqia, u dërguan në qendrat e paraburgimit në Shkup dhe në qytetin kufitar të Gjevgjelisë.

Ata pritet të deportohen përsëri në Greqi.

Në vitin 2015 është mbyllur ajo që quhej “Rruga Ballkanike” të cilën mijëra imigrantë e përdoren për të kaluar nga Greqia në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas në ato të Evropës Perëndimore.

Megjithatë mijëra imigrantë ende përpiqen ta bëjnë këtë rrugë, duke paguar kontrabandistët.

Policia e Maqedonisë së Veriut thotë se në tre javët e para të këtij viti, janë zbuluar gjithsej 1.365 imigrantë, që kishin hyrë në vend në mënyrë të paligjshme.

Vitin e kaluar, policia ndaloi më shumë se 24.500 imigrantë të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme./REL