Vesko Damjanoviq, Policia e Malit të Zi. Foto: Kallxo.com

Policia malazeze për shoferët kosovarë: Raportoni te ne, mos jepni para në kufi!

 

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi pamjet ekskluzive si Policia e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi u marrin haraç kompanive turistike të Kosovës në pikat kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Emisionin DNK transmetoi edhe intervistën me zëvendës Komandantin e Policisë së Malit të Zi, Vesko Damjanoviq, i cili ka folur ne lidhje me paratë që dyshohet se i marrin policët dhe doganierët malazez nga kompanitë turistike kosovare që gjatë sezonit të veror që transportojnë turistët në bregdetin malazez.

KALLXO.com: Ne kemi disa filmime ku shihen shoferet e autobusëve duke i futur parat në librezat e qarkullimit për me i dhanë në pikën kufitare Muriqan?

Vesko Damjanoviq: Ne nuk kemi ende informata të tilla dhe deri më tani nuk e kemi pasur asnjë rast ku është raportuar nga ana e udhëtarëve me autobusë se ka pasur dukuri të tilla.

KALLXO.com: A është ankuar dikush prej këtyre shoferëve se po u marrin pare në kufi?

Vesko Damjanoviq: Po, i kemi pasur disa raste ku është raportuar se ka ardhur deri te një lloj keqpërdorimi nga ana e zyrtarëve tonë, se për ndonjë veprim apo mosveprim të tyre janë kërkuar para. Sikur të kishim pasur ankesë ne do të mund t’i merrnim masat dhe veprimet e caktuara operative e taktike hetuese për ta vërtetuar ankesën dhe për tërë këtë do ta informonim prokurorinë përgjegjëse, sepse bëhet fjalë për vepra të inkriminuara, gjegjësisht sipas kodit tonë penal bëhet fjalë për vepra penale dhe do të vepronim sipas udhëzimeve dhe kërkesave të prokurorit përgjegjës dhe jo rrallë në raste të tilla, kur të dëshmohet kjo vepër kriminale kundër zyrtarëve tonë, do të ngrihet kallëzimi penal dhe kallëzimi disiplinor.

KALLXO.com: A ka kamera të sigurisë brenda kabinave të policëve dhe doganierëve të Malit të Zi?

Vesko Damjanoviq: Pikërisht si një formë të luftës kundër korrupsionit, gjatë vitit të kaluar e kemi përfunduar projektin ku të gjithë 28 vendkalimet kufitare në Mal të Zi i kemi mbuluar me kamera, jo vetëm hyrjet dhe daljet në kalimet kufitare, por edhe hapësirat, gjegjësisht kabinat në të cilat punojnë zyrtarët. Dhe pikërisht ky ka qenë qëllimi, që ta përcjellim punën e tyre dhe të shërbejë si masë në luftën kundër korrupsionit.

KALLXO.com: A munden me u vërejt parat brenda librezave në ato kabina prej këtyre kamerave?

Vesko Damjanoviq: Varet… Kamerat gjenden brenda kabinës dhe ato përcjellin dhe shfaqin hapësirat ku punojnë zyrtarët tonë por gjithsesi kjo varet nga pozicioni i dokumenteve të udhëtimit, si e ka orientimin, të hapur apo të mbyllur, e kështu me radhë. Gjithsesi këto informata dhe ky emision me këtë temë që po e përgatitni janë informata të reja për mua, si udhëheqës i drejtpërdrejtë i sektorit të policisë kufitare dhe gjithsesi do t’i ndërmarr masat e veprimet e duhura që, nëse ekziston kjo dukuri, të çrrënjoset nga radhët tona.

KALLXO.com: Cilat duhet me kanë masat që këta shofer mos me pagua në vazhdimësi qysh janë duke paguar tash?

Vesko Damjanoviq: Unë do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi që tu bëj thirrje shoferëve që sipas ligjit penal të Malit të Zi edhe dhënia e ryshfetit është vepër penale. Edhe ata mund të mbahen përgjegjës për këtë. Kjo e para. E dyta, nuk ekziston asnjë arsye që ata, gjatë hyrjes apo daljes nga Mali i Zi, të japin para. Është i dhënë numri kujdestar i telefonit i policisë së. Malit të Zi dhe nëse dikush kërkon apo në çfarëdo mënyrë jep indikacion të kërkesës së parave, ata janë të obliguar ta raportojnë, dhe unë ju bëj thirrje që ta raportojnë atë secilën herë dhe ne, sikur gjithmonë më parë, do ta  shqyrtojmë atë me seriozitet raportin e tillë dhe nëse kjo dukuri ekziston, me përgjegjësi e them se do ta çrrënjosim dhe nuk do ta lejojmë më në radhët tona. Dhe mendoj se edhe nëse kjo ndodh, nëse dikush e bën atë, është numër minimal i zyrtarëve,  që vendosin të bëjnë keqpërdorime të tilla.

KALLXO.com: Bisedat tona me këta shofer e thonë se ky është ligj ligj qe me dhanë para edhe ne hyrje edhe ne dalje të malit të Zi?

Vesko Damjanoviq: Nuk ka nevojë, e përsëris, nuk ka nevojë për këtë. Kushdo që i plotëson kushtet sipas ligjit për kontroll kufitar për të hyrë në shtetin e Malit të Zi, mund të hyjë. Nëse ka dokument të vlefshëm udhëtimi, nëse ka dokumente të vlefshme të mjetit motorik, mund të hyjë. E vërtetë që gjatë sezonit veror turistik ka tollovi, posaçërisht në vendkalimet kufitare më të vogla, do ta përmend, siç e përmend edhe ju që kjo po ndodh në kalimin kufitar Sukobinë-Muriçan, që është vendkalim kufitar i përbashkët  me Republikën e Shqipërisë. Kur është ndërtuar dhe projektuar ai, është projektuar për qarkullim prej 500 mijë mjetesh, ndërsa ka kohë që ky qarkullim ka tejkaluar 2 milionë. Por, ne kemi biseduar me kolegët nga Shqipëria dhe shpresojmë që deri në sezonin e ardhshëm veror do të zgjerohet ky vendkalim kufitar e me këtë udhëtarët nuk do të duhet të presin kaq gjatë dhe do të përshpejtohet hyrja e dalja dhe nuk do të ketë më nevojë për këtë.

Edhe pse, mendoj se as tani nuk ka nevojë për të dhënë apo ofruar para.

KALLXO.com: Çka ka me ndodh me këta polic nëse vërtetohen ato që po thonë shoferët se ata marrin para?

Vesko Damjanoviq: Ndaj tyre do të ndiqet procedura penale, si dhe paralelisht edhe procedura disiplinore, dhe ata në atë moment mbesin pa punë dhe japin përgjegjësi para organeve gjyqësore kompetente.

KALLXO.com: A ka pas ndonjë rast që keni ndërmarrë hapa për me e pa a po ndodh kjo në kufi?

Vesko Damjanoviq: Kemi pasur raste ku udhëtari ka raportuar se i janë kërkuar para nga dikush, apo për shembull nuk e kishte lajmëruar qëndrimin dhe pastaj është dashur të ndëshkohet me gjobë dhe që mos ndëshkohet, e kështu me radhë, kemi pasur raste të tilla individuale, ku kemi marrë masa e veprime të caktuara taktike e operative hetuese për ta dëshmuar rastin, dhe në këto procese kemi ndjekur procedurat penale ndaj zyrtarëve tonë dhe zyrtarët menjëherë pezullohen nga puna deri në mbyllje të procedurës. Pastaj rezulton edhe ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Unë do t’i bëja thirrja të gjithë transportuesve, të udhëtarëve e turistëve nga Kosova në Mal të Zi, dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, që nëse hasin në këtë dukuri ta raportojnë atë, dhe ne me përgjegjësi do të veprojmë tutje përkitazi me këtë. Nëse një person jep para, ofron para, edhe ofrimi i ryshfetit është vepër penale sipas ligjit penal të Malit të Zi. Edhe kjo është vepër e dënueshme penale.