Ilustrim

Policia lut qytetarët mos të shqetësohen nga kërcënimet e raportuara nëpër spitalet e Kosovës

Gjatë kësaj jave është raportuar se persona të caktuar po kërcënojnë stafin shëndetësor në spitalet e Kosovës dhe si pasojë e kësaj qytetarët janë detyruar të largohen pa marrë shërbime dhe të shtohen masat policore përreth spitaleve.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe të njëjtit kanë thënë që kanë marrë masat parandaluese dhë të sigurisë pas një informate për kanosje.

“Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve” thanë nga Policia.

Para tri ditësh, KALLXO.com raportoi se kërcënime ndaj stafit mjekësor pati edhe në Spitalin e Vushtrrisë edhe të Mitrovicës.

Madje nga ato kërcënime siç ka mësuar KALLXO.com u detyrua që të shtoheshin edhe forcat e rendit për mbikëqyrje.

Të hënën  një kërcënim për sulm i bërë në formë anonime, kishte trazuar Spitalin e Vushtrrisë. Policia me të marrë lajmin, kishte shtuar masat e kujdesit duke qëndruar brenda oborrit të Spitalit gjatë gjithë natës. 

Mjekët dhe inferimerët, sipas burimeve të KALLXO.com, kishin marrë urdhër që të bëjnë kujdës të shtuar, ndërsa disa pacientë, pasi kanë mësuar për situatën, janë larguar nëpër shtëpitë e tyre, ndonëse ishin të shtrirë në Spital.

Kërcënohet me sulm Spitali i Vushtrrisë, e ruajnë forcat e rendit

Edhe në Spitalin e Mitrovicës pati kërcënime ndaj stafit mjekësor