Policia largon gjësendet e mbetura në ndërtesën që shfrytëzohej nga strukturat paralele serbe në Mitrovicën e Veriut - Foto: KALLXO.com
Policia largon gjësendet e mbetura në ndërtesën që shfrytëzohej nga strukturat paralele serbe në Mitrovicën e Veriut
Policia e Kosovës ka larguar më 05.09.2024 gjësendet që kanë qenë brenda ndërtesës e cila është shfrytëzuar nga strukturat paralele serbe në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë në objekt është vendosur flamuri i Kosovës.
Ekipi i KALLXO.com ka raportuar dje, më 04.09.2024, se flamuri i Republikës së Kosovës është vendosur afër objektit në të cilin ka vepruar Komuna paralele serbe e Mitrovicës. Deri para pak ditësh aty ka qenë i vendosur flamuri serb.
Ndërkaq më 02.09.2024 afër 80 qytetarë të komunitetit serb kanë protestuar afër kësaj ndërtese, duke kërkuar të ktheheshin në vendin e tyre të punës.
Protesta ka kaluar pa incidente, sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
KALLXO.com ka raportuar se më 01.09.2024 në këtë objekt është vendosur pllaka e Drejtorisë së patentë shoferëve që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më 30.08.2024, Policia e Kosovës ka mbyllur pesë objekte që shfrytëzoheshin nga strukturat ilegale serbe.
Policia ka bërë të ditur se çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto ndërtesa, ku u zhvilluan kontrollat policore.
Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë të Veriut gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar: një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë të datës 30.08.2024.
Ky aksion i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, të cilat e cilësojnë aksionin si veprim të pakoordinuar që mund të sjellë tensionim të situatës në veri të Kosovës.