Policia e Kosoves, Ilustrim

Policia kryen tri operacione në Prishtinë, arreston tre persona

Policia e Kosovës më 08.01.2025 në Prishtinë ka kryer tri operacione në tri lokacione të ndryshme me ç‘rast janë arrestuar tre persona të kërkuar me urdhër-arreste aktive për vepra të rënda penale.

Policia gjithashtu ka dhënë detaje së në cilat vende janë realizuar këto operacione.

Policia ka njoftuar së operacioni i parë është zhvilluar rreth orës 11:00 në rrugën “Rexhep Luci“ në Prishtinë, me ç’ rast njësitet policore pasi lokalizuan të dyshuarin i cili ishte i dënuar me shtatë muaj burg efektiv për veprën penale – lëndim i lehtë trupor, reaguan me shpejtësi duke  e arrestuar.

“Operacioni i parë u zhvillua rreth orës 11:00, në rrugën “Rexhep Luci“ në Prishtinë, me ç’ rast njësitet policore pasi lokalizuan të dyshuarin i cili ishte i dënuar me shtatë muaj burg efektiv për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor“ reaguan me shpejtësi duke arrestuar të njëjtin” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Operacioni i radhës nga Policia u realizua rreth orës 14:00 në rrugën “Xheladin Hana“ në Prishtinë, me ç’rast pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, zyrtarët policorë arritën të lokalizojnë dhe të kapin të dyshuarën e dënuar me tetë vite burgim efektiv për veprat penale – shpërlarja e parave, si dhe – financimi i terrorizmit.

Ndërsa, operacioni i tretë është realizuar rreth orës 15:00 në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë dhe në këtë lokacion Policia arrestoi  të dyshuarin i cili ishte i dënuar me 3 vite burg efektiv për veprën penale – mashtrimi.

Të arrestuarit në përputhje me vendimet e Gjykatës u transferuan në qendrat përkatëse për vuajtjen e dënimit.