Policia kroate tregon në detaje si ndodhi aksidenti i sotëm

Policia e Kroacisë ka lëshuar një njoftim për aksidentin që ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën e Sllavonski Brodit, ku 10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 janë lënduar.

“Qendra operative-komunikuese e Administratës së Policisë Brod-Posavina këtë mëngjes në ora 6 e 19 minuta mori një raport të një aksidenti trafiku në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër Sllavonski Brod, në të cilën ishin disa persona të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar”, thuhet në njoftimin e tyre, raporton media kroate index.hr

Sipas policisë kroate, gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës, derisa po voziste një autobus me targa të Kosovë nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar por kaloi nëpër bar dhe më pas autobusi u përmbys.

“Pas kësaj zjarrfikësit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të marrë trupat e të lënduarve. Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 u lënduan lehtë”, thuhet më tej në njofimin e policisë.

Policia bëri të ditur edhe se ka arrestuar shoferin e autobusit.

Autobusi me targa të Kosovës ka dalë nga rruga, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci, rreth orës 6:00 të mëngjesit të së dielës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur drejt Kroacisë, bashkë me disa ministra.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore, pas këtij aksidenti.