Refugjatë serbë të Kroacisë nga Knini duke u larguar për në Banja Luka në Bosnje në gusht 1995. Foto: EPA/SASA STANKOVIC.

Policia kroate heton kryetarin serb se quajti “krim” Operacionin Stuhia

Policia tha ka nisur hetimet pasi kryetari serb i komunës Borovo të Kroacisë, nëpërmjet një postimi në Facebook, e përshkroi si krim Operacionin Stuhia të Ushtrisë Kroate të vitit 1995, i cili mundi forcat rebele serbe dhe nxiti një eksod refugjatësh.

Mediat raportuan të martën se kryetari i komunës Borovo në Kroacinë lindore, Zoran Bacanoviç, është nën hetim policor për një postim të tij të fundit në Facebook rreth Operacionit Stuhia.

Bacanoviç, një anëtar i Partisë Demokratike të Pavarur Serbe, partia SDSS, e cila përfaqëson pakicën serbe të Kroacisë, postoi një fotomontazh me një fotografi të një kolone refugjatësh serbë të Kroacisë që largoheshin nga vendi pas operacionit dhe një fotografi të një turme që mbante një banderolë me mesazhin: “Stuhia – një krim që vazhdon ende”.

“Departamenti i Policisë Vukovar-Srijem është në dijeni të mesazhit dhe ne filluam menjëherë kryerjen e një hetimi penal, në koordinim me zyrën përkatëse të prokurorit shtetëror, për të përcaktuar nëse kishte elementë të një krimi apo shkeljeje”, tha policia të martën për mediat kroate.

Mesazhi u postua javën e kaluar, kur kroatët festuan përvjetorin e fitores së ushtrisë së tyre mbi serbët rebelë në Operacionin Stuhia të gushtit 1995, ndërsa serbët përkujtuan të vdekurit e tyre dhe kujtuan ata që u desh të linin shtëpitë e tyre.

Sipas raportimeve të mediave, postimi që atëherë është hequr nga llogaria e Bacanoviç në Facebook.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, Bashkimi Demokratik Kroat i të cilit, HDZ, qeveris vendin në një koalicion me përfaqësuesit e pakicave etnike, përfshirë SDSS-në, e dënoi postimin e Bacanoviçit, duke thënë se ishte “i papranueshëm” dhe “i papërshtatshëm”.

“Nuk e kuptoj se si është e mundur të postosh diçka të tillë në Facebook nëse je kryetar i një komune në Republikën e Kroacisë”, tha Plenkoviç, duke shtuar se ai do ta diskutonte këtë gjë me anëtarët e SDSS-së.

Operacioni Stuhia pa forcat kroate të rrëzonin shtetin e vetëshpallur të serbëve rebelë, Republikën e Krajinës Serbe, dhe festohet në Kroaci çdo vit më 5 gusht si një triumf që siguroi ekzistencën e vendit si një shtet i pavarur.

Megjithatë, në një seri sulmesh gjatë dhe pas operacionit, mbi 600 civilë, kryesisht të moshuar serbë, u vranë, sipas Komitetit Kroat të Helsinkit. Rreth 200,000 refugjatë serbë lanë territorin e çliruar në gusht 1995.

Bacanoviç dhe anëtarët e tjerë të SDSS-së nuk kanë komentuar mbi incidentin deri më tani.

Hrvoje Zekanoviç, një deputet i krahut të djathtë nga partia sovrane kroate, e përshëndeti hetimin e policisë.

“Shpresoj që të mos jetë thjesht një vizitë mirësjelljeje e policisë kroate te kryetari i komunës Borovo”, shkroi Zekanoviç në Facebook. BalkanInsight