
Komuna paralele e Skenderajt në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Policia kontrolloi komunën paralele të Skenderajt, dyshohet se aty ishin lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara
Pas mbylljes së objektit në Mitrovicë të Veriut më 16.10.2024, i cili ishte shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia si Komunë paralele e Skenderajt, Policia e Kosovës njofton se kanë zhvilluar kontrolle në këtë objekt.
Sipas njoftimit të Policisë, objekti ku ishte duke funksionuar komuna paralele e Skenderajt është nën pronësi të Trepçës.
Në bazë të kontrolleve në objekt, Policia thotë se ka vërtetuar që janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara nga ky objekt.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara” – njofton Policia, më 17.10.2024.
Rasti vazhdon të hetohet, ndërsa është inicuar – falsifikim i dokumenteve.
Mbylljen e objektit që ishte shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia si Komunë paralele e Skenderajt, e konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, më 16.10.2024.
Elshani deklaroi se pas verifikimeve policore në terren, kanë marrë informacion se Komuna paralele e Skenderajt është aktive dhe më pas, në konsultim më prokurorin, kanë hyrë në ndërtesë dhe e kanë mbyllur.
Kjo nuk është komuna e vetme paralele që Policia e Kosovës ka mbyllur.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte njoftuar më 30.08.2024, se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, ministri Krasniqi kishte bërë të ditur se këto janë komunat paralele që nuk do të operojnë më: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që kishte përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.