
Policia konfiskon drogë në Gjakovë, Prishtinë dhe Podujevë
Në kuadër të operacionit “Mjegulla”, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar dhe është konfiskuar një sasi e lëndëve narkotike prej 6.3 kilogramë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në një depo dhe objekte tjera në Gjakovë janë gjetur mbi 6 kilogramë substacë narkotike ndërsa në Prishtinë dhe Podujevë janë gjetur dhe konfiskuar rreth 88 gramë.
“Gjatë kontrollit, janë gjetur edhe rreth 6 kg e 383 gr substancë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë. Kurse në dy lokacione tjera në Prishtinë e Podujevë janë gjetur e konfiskuar edhe: 88 gr substancë narkotike, dyshohet të jetë kokainë, dy shishe qelqi me vaj kanabisi, një revole dhe 24 fishekë dhe dëshmi tjera relevante për rastin”- thuhet në njoftim.
Policia njofton se ka arrestuar një person të dyshuar me inicialet B.B, kurse një të dyshuar tjetër, për të cilin Policia thotë se është i njohur për ta, nuk është hasur dhe i është lënë ftesa për lajmërim në polici.
I dyshuar është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës njoftoi se ka konfiskuar 40 kilogramë lëndë narkotikë dhe ka arrestuar një të dyshuar.
Polica bëri të ditur që personi i dyshuar është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje për 48 orë.