Foto: REL/EPA-EFE

Policia konfirmon vdekjen e policit nga COVID-19

Policia e Gjakovës ka konfirmuar për KALLXO.com vdekjen e zyrtarit policor 39 vjeçar nga infektimi me coronavirus.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta ka thënë se informacionin e kanë marrë nga organet e shëndetësisë.

“E nderuar ju konfirmojm se kemi pranuar njoftimin nga IKSHP për vdekjen e kolegut tonë i cili që nga dita e premte ka qenë i hospitalizuar në spitalin rajonal në Gjakovë ndërsa dje, pas përkeqësimit të gjendjes është transportuar për në klinikën infektive në QKUK ku sot në orët e vona të mbrëmjes ka ndërruar jetë. I ndjeri ka qenë zyrtar në ekipet reaguese të Stacionit Policor në Gjakovë”, ka thënë Graishta për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi pak më parë në lidhje me vdekjen e 39 vjeçarit i cili ishte polic në Gjakovë.

Sipas statistikave zyrtare numri i viktimave nga COVID-19, ka arritur bë 118 ndërsa 5 mijë e 369 raste janë regjistruar pozitive me coronavirus që nga 13 marsi i këtij viti. Nga numri total i të infektuarve 2 mijë e 545 persona janë shëruar.