Merdare, foto nga arkivi

Policia konfirmon se ka konfiskuar dy kamionë nga Serbia me materiale për 'referendumin'

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar tri automjete, një veturë dhe dy kamionë me targa të Serbisënë në pikën e kalimit Kufitar Merdare që lidh Serbinë me Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi.

“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në Kosovë, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Policia raporton se dy kamionët janë dërguar tek autoritetet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa për në Serbi.

Rasti do të vazhdojë të trajtohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organet e drejtësisë.

Serbia tenton futjen e materialit për referendumin e saj në Kosovë, konfiskohen kamionët

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot pasdite në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë. Seanca është thirrur të nis nga ora 14:00.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.