
Foto: Policia e Kosovës
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për t'i identifikuar disa të dyshuar për vjedhje
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët dhe informacion nga ata, për t’i identifikuar disa persona, të cilët po dyshohen për veprat penale: “vjedhje e rëndë” dhe “vjedhje në tentativë”.
Të dyshuarit këto vjedhje i kanë kryer në qytetin e Prishtinës – sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.
Policia ka publikuar fotot që ka arritur t’i sigurojë përmes kamerave të sigurisë, ku edhe shihen personat e dyshuar sot, më 04.03.2025.
“Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, në hetimin që po zhvillohet për disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në disa lagje të Kryeqytetit, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar, që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personave të dyshuar, sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve të shpallur në kërkim.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.