Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një viktime

Nga një aksident trafiku dje në Prizren ka humbur jetën një këmbësore, por Policia në mungesë të dokumenteve nuk ka arritur ta identifikojë ende viktimën.

Për këtë, Policia ka publikuar një foto të saj duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për identifikim.

“Për shkak se këmbësorja nuk posedon asnjë dokument identifikimi dhe nuk kemi arrit ende ta identifikojmë viktimën, luten të gjithë ata që kanë njohuri për identitetin e saj të lajmërohen në njësinë e trafikut rajonal ne Prizren”, thuhet në komunikatë për media.

Sipas Policisë, deri tek aksidenti i trafikut dyshohet se kishte ardhur derisa i dyshuari S.G. ishte duke e drejtuar automjetin Mercedes C220, dhe ishte duke lëvizur në drejtimin e rrugës Vërmicë-Prizren, vozitësi për shkaqe deri tani të panjohura godet këmbësoren që ishte duke kaluar nga ana e djathtë në të majtë.

Policia thotë se si pasojë e këtij aksidenti këmbësorja ka marrë lëndime të rënda dhe dërgohet urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit,  ku në repartin e emergjencës edhe përkundër ndihmës mjekët vetëm konstatuan se ajo ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.

“Në vend të ngjarjes kanë dal njësitet relevante, shefi i hetimeve të trafikut, prokurori i shtetit dhe  eksperti i komunikacionit ku me urdhër tw prokurorit i dyshuar ndalet në mbajtje për 48 orë, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për autopsi në IML në Prishtinë. Me rast janë duke u marr hetuesit e njësisë rajonal të trafikut në Prizren”, thuhet në komunikatë.